“Nuk ka kuptim pas procesit të nisur në Hagë”
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes Vjosa Osmani e sheh të pakuptimtë vazhdimin e dialogut me Serbinë pas zhvillimeve të fundit në vend. Sipas saj nuk është moment që të vazhdohet dialogu në kohë n kur krerët e shtetit e partive po akuzohen nga Gjykata Speciale për krime lufte.
“Unë mendoj që për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është moment që të vazhdohet dialogu. Duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi të konsultohemi me njëri-tjetrin, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut. Është e domosdoshme që kushdo që negocion në emër të Kosovës, për fatin e Kosovës, të ketë një qëndrim shumë më të unifikuar të spektrit politik sesa vetëm të koalicionit që përfaqëson”.
Qeveria e Kosovës ende nuk ka kthyer përgjigje. Ditë më parë edhe AAK nëpërmjet ministrit të drejtësisë kërkoi në mbledhje të qeverisë që të pezullohet dialogu me Serbinë por u kundërshtua nga kryeministri Avdullah Hoti. Ndërkohë Bashkimi Evropian këmbëngul se pavarësisht zhvillimeve dialogu Prishtinë- Beograd duhet të vazhdoj.