Ushtruesja e detyrës së presidentit dhe kryeparlamentarja, Vjosa Osmani në dy vjetorin e formimit të Ushtrisë së Kosovës ka thënë se votimi i ligjit që e transformimoi FSK-në në Ushtri të Kosovës do të mbetet e shënuar në historinë e re të Republikës së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani tha se është detyrë e jona kombëtare që të kontribuojmë në fuqizimin e mëtejmë të ushtrisë sonë.
“Dy vite më parë, Kuvendi i Kosovës, me 106 vota pro miratoi ndryshimet e nevojshme ligjore që hapën rrugën për transformimin e FSK-së në Ushtri të shtetit të Kosovës dhe themeluan Ministrinë tonë të mbrojtjes. Kjo votë, do të mbetet e shënuar në historinë e re të Republikës sonë si ndër momentet kulminante të përpjekjeve tona të përbashkëta për fuqizim të shtetësisë, mbrojtje të sovranitetit dhe konfirmim të aspiratave tona për anëtarësim në NATO”, ka shkruar Osmani.