Numri i personave të pastrehë në Nju Jork ka arritur në nivel rekord prej mbi 57.000 personave për shkak të pandemisë. Mbi 20.000 të rritur beqarë janë duke qëndruar në strehimore.
Shkalla e personave të pastrehë ka shkuar në shifrën që nuk është parë prej kohës së Depresionit të Madh. Shifra prej 20.210 të pastrehëve beqartë është më e larta në histori të qytetit. Në mesin e tyre janë mbi 15.000 burra e mbi 4.800 gra, shkruan Daily Mail.
Sipas hulumtimeve, shkaktar kryesor i mungesës së strehimit, sidomos te familjet e pastrehë, është pamundësia për t’i mbuluar shpenzimet e banimet. Sidoqoftë, në këtë gjendje ka ndikuar edhe pandemia, sepse dhjetëra mijëra njerëz i kanë humbur vendet e punës për shkak të izolimit dhe masave tjera kufizuese ndaj bizneseve.
Gjatë periudhës së pandemisë është vërejtur edhe rritja e madhe e numrit të rasteve të dhunës në familje, që gjithashtu mund ta ketë shkaktuar rritjen e numrit të njerëzve që kërkojnë zgjidhje në strehimore publike.
Departamenti i Shërbimeve Sociale në Nju Jork njoftoi se gjatë pandemisë janë liruar para kohe shumë të burgosur dhe është dashur që ata të vendosen në strehim emergjent.
Me përfundimin e moratoriumit për lirim nga pagesa e qirasë, që skadon në janar, dhe me përfundimin e skemës për përfitime financiare për ata që e kanë humbur vendin e punës, që skadon më 26 dhjetor, numri i personave të pastrehë do të vazhdojë të rritet.
Njerëzit e pastrehë mund të shihen gjithandej – para dyerve të dyqaneve që janë mbyllur, në platforma të stacioneve të trenit dhe madje edhe në shkallë të ndërtesave.
Në shifrën zyrtare të personave të pastrehë nuk janë të përfshirë ata që flenë rrugëve si dhe ata që mund të jenë futur në strehimore private.