Nga Janari në Tetor u shënuan 4 herë më pak aplikime
Kufizimet që solli pandemia e COVID-19 uli numrin e shqiptarëve që kërkuan azil në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave nga Zyra Evropiane e Mbrojtjes së Azilantëve gjatë periudhës Janar-Tetor 2020 u regjistruan vetëm 4536 aplikime, në një kohë që e njëjta periudhë e një viti më parë pati 20 311 kërkesa nga shqiptarët.
Numri më i ulët i aplikimeve u shënua në maj të 2020 me vetëm 60 të tilla, si rrjedhojë e mbylljes së kufijve dhe masave shtrënguese. Ulje ka pësuar edhe numri i kërkesave te mbetura pezull. Në Tetor të 2019 kishte mbi 18,000 dosje që prisnin përgjigje nga vendet e BE-së, ndërsa në Tetor të 2020 ka vetëm 4012 të tilla.
Por ajo që shihet si shqetësim nga institucionet e Bashkimit Evropian është mosha e aplikantëve nga Shqipëria. Nga Janari i 2019 deri në Gusht 2020 kanë aplikuar për azil mbi 30 mijë shqiptarë nga të cilët 78% i përkisnin moshës deri në 34 vjeç.
Destinacioni kryesor është Franca, e më tej Gjermania, Greqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia.