“Shtetet nuk duhet të nxitojnë në heqjen e masave”
Teksa disa shtete vijojnë të lehtësojnë masat ndaj pandemisë së Covid-19 varianti Omicron vijon të shënojë shifra të larta infektimesh. Së fundmi Danimarka u bë vendi i parë i Bashkimit Europian që hoqi të gjitha masat kufizuese brenda vendit dhe kjo e gjitha shtyn botën të pyesë se a është ky fundi i kësaj pandemie? Por Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka paralajmëruar se është ende shumë herët që vendet të shpallin fitoren ndaj pandemisë.
“Jemi të shqetësuar që në disa vende mendohet se për shkak të vaksinave dhe për shkak të transmetueshmërisë së lartë dhe ashpërsisë më të ulët të Omicron, parandalimi i transmetimit të virusit nuk është më i nevojshëm,” tha ai.
Që prej kur varianti Omicron është zbuluar për herë të parë në Afrikën e Jugut rreth 10 javë më parë në OBSH janë raportuar mbi 90 milionë raste. Një shifër kjo e cila është më e lartë se të gjithë infektimet e vitit 2020. Pavarësisht se Omicron është parë si një variant më i lehtë ekspertët po shohin një rritje shqetësuese në numrin e viktimave.