Lideri i opozitës maqedonase Hristijan Mickoski paralajmëron shumicë të re parlamentare. I pari i VMRO-DPMNE-së paralajmëron edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me ato lokale në tetor të këtij viti.
“Ose do të ketë konsensus dhe do të pranohet ajo që kërkon opozita, ose do të ndodh në shtet të kemi situata të tilla pa kuorum. Nëse jo atëherë vihet në lojë mundësia tjetër ajo e shumicës së re parlamentare. Keni durim. Ju lutem keni durim. Shpresoj se shumë shpejtë do të befasoheni, për të mirë ose për të keq”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Opozita shqiptare thotë se nuk është njoftuar, por mbështetë idenë për stabilitet politik. Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Çdo iniciativë që do të siguronte një stabilitet politik, me një shumicë të qëndrueshme parlamentare, do të ishte në shërbim të funksionimit politik për të mirën e qytetarëve, në kuadër të këtij qëllimi mbështesim edhe idenë për Qeveri të zgjeruar për ta përgatitur vendin për zgjedhje lokale dhe parlamentare”, thonë nga ASH-AAA.
Në LSDM e thonë të kundërtën. Sipas tyre, këto paralajmërime të Mickoskit janë rezultat i frikës së tij se shumica parlamentare shumë shpejtë do të zgjerohet.
“Ajo për të cilën nuk duhet befasuar është bashkëngjitja e deputetëve nga opozita me shumicën parlamentare pikërisht për shkak të politikave pozitive të cilat janë në interes të qytetarëve dhe shtetit. Qytetarët dhe deputetët janë të lodhur nga pengesat e panumërta, bllokadat dhe destruktiviteti i VMRO-DPMNE-së”, theksojnë nga LSDM.
Nga BDI nuk komentuan se cili është qëndrimi i tyre ndaj paralajmërimeve të Mickoskit dhe si do të pozicionoheshin në një situatë të tillë./Alsat