Balluku: Deri në 2029 kthehemi në eksportues të energjisë
Brenda 3 vitesh Shqipëria synon të vendosë në punë parqet eolike, si dhe shtimin e atyre fotovoltaike. Në konferencën Ndërkombëtare të Energjisë të zhvilluar në Abu Dabi për sigurinë energjetike, qëndrueshmërinë dhe çmimet e përballueshme që duhet të ketë ky treg energjetik në të ardhmen, zv/kryeministrja, njëherësh edhe ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku tha se synimi është, që brenda 7 vitesh Shqipëri të kthehet në një vend me fuqi eksportuese të energjisë.
“Shqipëria ka një plan shumë të qartë për këtë. Ne synojmë që deri në vitin 2025 që të vëmë në funksion parqet tona të reja fotovoltaike dhe ato eolike dhe më pas me shtimin e kapaciteteve që do të vijnë nga TEC-i i Vlorës ne synojmë që ky miks energjetik t’i japë Shqipërisë një pavarësi energjetike, duke e kthyer atë deri në vitin 2029 një fuqi eksportuese neto dhe jo importuese, siç jemi sot. Të gjitha këto plane janë prioritet i Qeverisë dhe ne nuk do të ndalemi”.
Balluku u ndal edhe tek mbrojtja që po u bëhet konsumatorëve familjare dhe bizneseve për energjinë.
“Sigurisht Shqipëria ndau me anëtarët e tjerë e tjerë të kësaj konference të rëndësishme historinë e saj përsa i përket burimeve të rinovueshme, të gjitha planet që kemi për të ardhmen dhe sigurisht çfarë kemi bërë deri më sot për të mbrojtur qytetarët tanë me mburojën sociale energjetike”.
Konferenca u fokusua edhe tek sfida strategjike që ka të bëjë me axhendën e gjelbër për dekarbonizimin e të gjithë globit në vitet e ardhshme deri në 2050-ën.