Miliona fëmijë pa shkollë dhe drejt punës për të mbijetuar
Pandemia e Covid-19 pritet që të sjellë pasoja të rënda jo vetëm ekonomike dhe ata që do ta vuajnë më shumë janë fëmijët. Në një raport të fundit nga ‘Save The Children’, thuhet se mbi 10 milionë fëmijë nuk do të munden të shkojnë në shkollë dhe kjo për shkak të izolimit.
Kjo do të nxisë gjithashtu edhe një problem akoma edhe më të madh pasi për shkak të krizës së koronavirusit fëmijët do të jenë të detyruar që të punojnë që në moshë të vogël.
‘Save The Children’ thekson se pasojat e Covid-19 do t’i ndjejnë më shumë vajzat sesa djemtë të cilat përballen edhe me një problem edhe më të madh martesat e hershme.
Ekspertët shprehen se mungesa e fondeve për edukimin mund të bëjë që një pjesë e madhe e fëmijëve mund të largohen përgjithmonë nga shkollat ndërsa të tjerët mund të mbeten mbrapa në mësime.
Rreth 12 shtete kryesisht të Afrikës dhe Lindjes së Mesme, janë më të rrezikuar ndërsa në Afganistan, Nigeri, Senegal etj., fëmijët mund të mbeten përgjithmonë të paarsimuar.
Sipas ‘Save The Children’ qeveritë duhet të marrin masa dhe duhet të investojnë më shumë në arsim pasi një pjesë e konsiderueshme e fëmijëve do të mbeten analfabetë.
Pandemia e koronavirusit ka bërë që në shumë vende të botës të ndërpritet mësimi dhe të zhvillohet online, si masë për frenimin e përhapjes së tij. Madje shumë universitete, por edhe shkolla të ciklit të ulët kanë vendosur së fundmi që mësimi do të zhvillohet online edhe për 2021.