T’u zhvatësh para njerëzve që luftojnë me vdekjen. Një skemë e tillë kriminale është goditur nga sektori ekonomik pranë Policisë së Tiranës, ku në fokus të këtij operacioni ka qenë spitali Onkologjik në QSUT.
Operacioni ‘Kobalti’ është finalizuar me ekzekutimin e masave “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje” për 7 persona, ndërkohë që janë goditur edhe disa klinika private.
Arrest shtëpie gjykata ka vendosur për mjekun e onkologjikut Edmond Gashi. Ndërsa për zv/drejtoreshën e QSUT-së Brikena Qirjazi dhe mjeken Alketa Ymeri togat e zeza vendosen detyrim paraqitje. E njëjta masë u vendos edhe për Halil Gashi, Florian Marku dhe Drilona Kishta të përfshirë gjithashtu në këtë aktivitet kriminal.
Krimi Ekonomik kishte nisur prej disa muajsh një hetim për stafin mjekësor, pasi kishte dyshime se këta persona nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror, por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimin që kërkohej nga ana e atyre.
Gjithashtu në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë e vendosur edhe terapia e kobaltit që shërbente për radioterapinë, por nuk vendosej në punë duke rrezikuar jetën e pacientëve.
Ndërkohë me vendim gjykate është sekuestruar një klinikë private, të cilës i është ndaluar aktiviteti deri në një moment të dytë.
Gjithashtu është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike, ku janë sekuestruar sasi e konsiderueshme mallrash kontrabandë dhe të falsifikuara dhe një shumë prej 10 mijë eurosh.
Ndaj grupit që kishte ngritur skemën kriminale rëndojnë akuzat “Kontrabandë me mallra të tjerë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja dhe depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Shpërdorim detyre”.