Mbi 2.5 milionë besimtarë marrin pjesë këtë vit
Kur Mariam Gyl, arriti të shohë nga afër Kabën, në vendin më të shenjtë të Islamit, në Mekë, ishte një çast çlirimi për të. “Kam përpara një simbol të paqes, një simbol të Zotit”, rrëfeu 31-vjeçarja për CNN.
Mariam Gyl është një ndër 200 besimtarëve myslimanë që i mbijetuan masakrës në xhaminë e Christchurchit, në Zelandën e Re më 15 mars. Ata kanë ardhur në Mekë me ftesë të mbretit saudit, për pelegrinazhin e Haxhit.
Më shumë se 2.5 milionë pelegrinë vendas e të huaj, do të përmbushin këtë vit Haxhin, ritin kryesor për një besimtar të Islamit. Sipas traditës, besimtarët duhet të bëjnë 7 xhiro përreth Kabës.
Dhjetëra mijëra oficerë të forcave të rendit janë mobilizuar për mbarëvajtjen e Haxhit, për të shmangur shtyrjet brenda turmës së njerëzve që në të kaluarën kanë shkaktuar tragjedi. Rreth 2300 persona humbën jetën në vitin 2015, si pasojë e shtypjes nga besimtarët e tjerë. /Tv Klan/