Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njofton se pas më shumë se dy javësh në Karaburun nuk ka asnjë vatër aktive. Në një njoftim për mediat, ministri bën me dije se fal punës së Forcave të Armatosura në Karaburun gjithçka është kthyer në normalitet.
Po ashtu Peleshi deklaron se është shpëtuar dhe Parku i Llogarasë, i cili prej ditësh ishte i kërcënuar nga flakët.
Reagimi i ministrit Niko Peleshi:
Më në fund pas 2 javësh mundi dhe sakrificash, nuk ka më vatra zjarri në Karaburun. Qindra orë betejash, qindra trupa të Forcave të Armatosura e forcave zjarrfikëse, specialistë të zonave të mbrojtura dhe emergjencave civile kanë punuar pa u lodhur për të shpëtuar Parkun Kombëtar të Llogarasë.
Kjo stinë e nxehtë s’ka mbaruar por sot, në këtë moment frymëmarrjeje dua t’i falenderoj të gjithë ata që dhanë gjithçka në këto ditë të vështira. Të gjithë po bëjmë detyrën por disa heronj shkojnë përtej detyrës.
Prefekti Flamur Mamaj, komandantët që drejtuan operacionet e vështira Gëzimi, Pëllumbi, Idrizi, Arbeni, punonjësit e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, punëtorët e palodhur të zonave të mbrojtura si Nexhipi, Ganiu e te tjerët që nuk i takova dot sepse ishin gjithë kohën në frontin e betejës me zjarret, pilotët Julian, Agimi, Ervini dhe Agroni, janë shqiptarë të rrallë që meritojnë respekt dhe mirënjohje.
Nuk mund ta le mënjanë çdo ushtar të thjeshtë që nuk ia mësova dot emrin por i pashë veprën. Sfida vazhdon. Ne jemi të gatshëm në krah të komuniteteve lokale.