Pas tërheqjes se 2 deputetëve firmëtarë nga nisma e opozitës parlamentare për ndryshime kushtetuese për ligjin elektoral, Lefter Koka është bërë pjesë duke firmosur pro saj.
Koka thotë se e ka ndërmarrë këtë hap në mbështetje të qytetarëve durrsakë që ia kanë kërkuar diçka të tillë.
“Mendoj se sot më shumë se kurrë është koha që peshoren elektorale si për individët apo partitë ta përcaktojë populli dhe jo dëshirat dhe marrëveshjet e fshehura të partive të mëdha”, shkruan Koka.
Ai shpreson që dhe socialistët të dalin hapur në mbështetje të kësaj nisme pa i shkuar deri në fund logjikës së gjetjes së kartonave jeshile për të votuar dhe hapur rrugën një marrëveshje që nuk sjell asgjë të re.
“Sepse, – shkruan Koka, – as kartonat nuk do t’i gjejnë dot dhe as popullin nuk kanë për ta gjetur dot të gatshëm për të vazhduar të votojë qorrazi listat 100% të mbyllura dhe koalicione si kuti të skaduara sardelesh”!
Veç Kokës dhe deputetja Elena Xhina e dal nga radhë e PDIU ka firmosur nismën e opozitës.