Policia ushtarake izraelite ka shpërndarë me forcë një demonstratë të të rinjve Haredi në Jeruzalem, që protestonin kundër ligjit për ndalimin e përjashtimeve të studentëve nga mobilizimi.
Gjykata izraelite vendosi për rekrutimet e detyruara muajin që shkoi, edhe pse ky komunitet gëzonte përjashtim nga shërbimi ushtarak që prej themelimit të Izraelit në 1948.
Marrëveshja e vjetër mes qeverisë izraelite dhe komunitetit besimtar Haredi ishte zgjatur disa herë derisa skadoi vitin e shkuar për t’u refuzuar më tej.
Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm si për burrat dhe gratë në Izrael, të cilët duhet të shërbejnë nga 24 deri në 32 muaj, pasi qeveria thotë se vendi “duhet të mbrohet nga vendet armiqësore” që e rrethojnë. Ministri i mbrojtjes Yoav Gallant tha në qershor se ushtrisë i nevojiten urgjentisht 10,000 rekrutë. Kujtojmë se ditë më parë, autoritetet izraelite thanë se numri i ushtarëve izraelitë të plagosur në Gaza është mbi 10 mijë.
Dje studentët e universiteteve fetare hebreje u mblodhën jashtë një qendre rekrutimi duke u ulur rreth saj për ta bllokuar nga mobilizimi i ushtarëve të rinj.
Protestuesit mbanin pankarta dhe brohorisnin slogane fetare “Do të vdesim dhe nuk rekrutohemi, jeni nazistë,” apo “Më mirë në burg se në ushtri” raporton rrjeti vendas ‘Times of Israel’.
Teksa demonstruesit refuzonin të largoheshin nga zona forcat e shumta të rendit nisën të merrnin individualisht personat me forcë, duke i larguar.
Numri besimtarëve hebrej Haredim llogaritet në më shumë se 1 milionë në Izrael. Ata argumetnojnë se shërbimi ushtarak i ndërpret studimin e Torah dhe kohës së lutjeve.