Kryeministri i Kosovës: Kërcënimet vijnë nga Beogradi
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është kërcënuar me vrasje gjatë qëndrimit të tij në Shkup të Maqedonisë së Veriut mbrëmjen e së premtes.
Pas kthimit nga mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kurti ka marrë pjesë në një takim të partive social-demokrate europiane, por sipas mediave të Kosovës, ndaj tij ka pasur një kërcënim që është marrë seriozisht nga autoritetet e sigurisë.
Sipas të njëjtave burime, autoritetet e Kosovës kanë bashkëpunuar me ato të Maqedonisë së Veriut për të siguruar perimetrin e qëndrimit të Kurtit në Shkup.
Të njëjtat masa të forta sigurie janë marrë edhe gjatë kthimit të tij për në Prishtinë. Vetë Kurti, i pyetur për këtë ngjarje, thotë se nuk është ndier i rrezikuar dhe se kërcënimet ndaj tij e kanë burimin në Beograd.
“Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhje që e mbajtëm”.
Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut i ka mohuar pretendimet se ndaj kryeministrit Albin Kurti do të bëhej ndonjë atentat gjatë qëndrimit të tij në Shkup. Sa i përket masave të marra, kjo ministri njofton se ajo është e organizuar sipas rregullave të caktuara paraprake dhe vlerësimeve të sigurisë.