Policia tha se ka rimarrë kontrollin e një burgu në Ekuador, ku trazirat lanë së paku 118 të burgosur të vdekur, derisa bandat rivale të drogës luftonin për kontrollin e objektit.
Autoritetet thanë se trazirat e ditëve të fundit ishin një nga betejat më vdekjeprurëse të burgjeve në historinë e Amerikës së Jugut. Përveç të vrarëve, 86 të burgosur të tjerë u plagosën, gjashtë prej tyre në gjendje kritike, thanë zyrtarët e burgut në Ekuador.
Sipas prokurorit kombëtar, së paku gjashtë viktimave iu pre koka. Trazirat shpërthyen më 28 shtator në një kompleks burgu në qytetin Guajakuill, midis të burgosurve që besohet se kanë lidhje me bandat meksikane të drogës.
Komandantja e policisë, Tannya Varela, tha të enjten vonë se “të burgosurit nuk kanë më kontroll mbi blloqet e qelive”.
Rendi u rikthye pas një operacioni masiv të sigurisë, që përfshiu rreth 900 oficerë dhe anëtarë të njësive taktike.
Së paku dy oficerë të policisë u plagosën në operacion. Trazirat në burgjet e Ekuadorit kanë lënë të vrarë mbi 230 të burgosur këtë vit.
Më 23 shkurt, trazirat në katër burgje, përfshirë atë në Guajakuill, kanë lënë të vdekur 79 të burgosur – disa prej të cilëve u është prerë koka./REL