Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u takua në Uashington të premten me ministrat e jashtëm të Azerbajxhanit dhe Armenisë në një përpjekje për të ndihmuar që t’u jepet fund luftimeve të ashpra gati një mujore në enklavën separatiste malore të Nagorno-Karabakut.
Zoti Pompeo ftoi Ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov dhe Ministrin e Jashtëm armen, Zohrab Mnatsakanyan për takime të veçanta në Departamentin e Shtetit dhe tha në fillim të kësaj jave se ai mezi pret të dëgjojë mbi situatën në terren.
Takimi në Uashington u organizua pas dy përpjekjeve të dështuara ruse për të ndërmjetësuar një armëpushim për luftimet më të rënda në rajon në më shumë se një çerek shekulli.
Sekretari Pompeo u është bashkuar udhëheqësve të tjerë globalë në thirrjet për t’i dhënë fund luftimeve mbi territorin e debatueshëm. Por kryeministri armen Nikoll Pashinyan tha të mërkurën se ai nuk sheh asnjë mundësi të një zgjidhjeje diplomatike në këtë fazë të konfliktit. Nga ana e tij, Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka thënë se forcat armene duhet të tërhiqen nga Nagorno-Karabak për t’i dhënë fund luftimeve, të cilat Presidenti rus Vladimir tha se mund të kenë lënë të vrarë rreth 5,000 njerëz.
Gjithashtu të mërkurën, Turqia tha se nuk do të hezitonte të dërgonte trupa dhe të siguronte mbështetje ushtarake për të ndihmuar Azerbajxhanin nëse bëhet një kërkesë për këtë lloj mbësthetje. Sekretari Pompeo u ka bërë thirrje vendeve të tjera që të mos “ushqejnë” konfliktin. Pak para fillimit të takimeve në Uashington, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se shpresonte të bashkëpunonte me Rusinë për të zgjidhur konfliktin.