Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier kritikoi politikën egoiste të Uashingtonit, Pekinit e Moskës e theksoi rëndësinë e multilateralizmit.
“Secili vend duhet të shohë veten e të vendosë interesat e tij mbi gjithë të tjerët”, kjo është deviza e presidentit amerikane, Donald Trump, tha Steinmeier në një fjalim në hapje të Konferencës së Sigurisë në Mynih.
Presidenti gjerman megjithatë e vlerësoi bashkëpunimin transatlantik. Ky duhet ruajtur, tha Steinmeier, i cili hapi zyrtarisht Konferencën e 56-të të Sigurisë në Mynih nën drejtimin e diplomatit të njohur, Wolfgang Ischinger. Kjo konferencë shihet si forum i rëndësishëm i politikës së sigurisë, ku deri të dielën diskutojnë e zhvillojnë takime rreth 40 krerë shtetesh e qeverish.
Por Sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo nuk i pranoi kritikat për tërheqjen amerikane nga skena globale. Ai tha në Konferencën e Sigurisë në Mynih, se “jam i lumtur të them, se vdekja e aleancës transatlantike është tejet e ekzagjeruar”. Perëndimi është duke fituar, dhe ne po fitojmë së bashku, tha ai.
Steinmeier akuzoi dhe Rusinë, se “pa respektuar të drejtën ndërkombëtare” e aneksoi Krimenë. Ndërsa Kina, sipas tij, përmes fuqizimit të saj është bërë një aktor i rëndësishëm në institucionet ndërkombëtare. “Në të njëjtën kohë ky vend e pranon të drejtën ndërkombëtare vetëm në mënyrë selektive, aty ku bie ndesh me interesat e veta”, kritikoi presidenti gjerman. Veprimi i Kinës në Detin Jugor Kinez i shqetëson fqinjët në rajon. “Kurse mënyra e veprimit kundër pakicave në vend na shqetëson të gjithëve”, tha Steinmeier duke pasur parasysh këtu burgosjet masive të ujgurëve.