Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador tha të premten se ai mbështet vendimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara Joe Biden për të ndalur ndërtimin e mëtejshëm të murit kufitar ndërmjet dy vendeve.
Një nga urdhërat e parë ekzekutivë të Presidentit Biden ishte ndalimi i punës për ndërtimin e murit, i cili kishte qenë një nga premtimet e para të fushatës së ish-Presidentit Donald Trump. Gjatë fushatës së tij për zgjedhjet e vitit 2016, zoti Trump këmbënguli vazhdimisht se Meksika do të paguante për murin, megjithëse më vonë ai kërkoi fonde nga Kongresi amerikan për projektin.
Në konferencën e tij të rregullt për shtyp të premten, presidenti i Meksikës u tha gazetarëve se ai mbështet vendimin e Presidentit Biden, duke thënë se në të kaluarën, presidentët amerikanë nga të dyja anët e spektrit politik kishin vazhduar me ndërtimin e murit në kufi. “Pothuajse të gjithë patën bërë pjesët e tyre të murit dhe tani Presidenti Biden ka vendosur se ai nuk do të ndërtojë më një mur në kufi. Pra, është historike”, tha Presidenti Obrador.
Ai gjithashtu u bëri thirrje emigrantëve që u drejtohen Shteteve të Bashkuara, të përmbahen dhe të mos përpiqen ta kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin SHBA-Meksikë, tani që ekziston një administratë e re amerikane. Administrata e Presidentit Biden gjithashtu njoftoi të premten se duke filluar nga java e ardhshme, qeveria amerikane do të fillojë të shqyrtojë rastet e azilkërkuesve të detyruar të presin në Meksikë, pjesë e një programi të diskutueshëm të krijuar nga Presidenti Trump.
Zyrtarët e Departamentit të Sigurisë Kombëtare thanë se duke filluar nga 19 shkurti, zyrtarët amerikanë të emigracionit do të fillojnë fazën e parë të një programi për të filluar shqyrtimin e rasteve të njerëzve që ishin bërë pjesë e programit “qëndroni në Meksikë” – i njohur gjithashtu si programi i Protokollit të Mbrojtjes së Emigrantëve (MPP) – i cili detyroi dhjetëra mijëra azilkërkues të presin datën për një seancë në gjykatën e emigracionit në anën meksikane të kufirit. Janë afërsisht 25’000 emigrantë me raste aktive në programin MPP./VOA