Presidenti malazes në krah të Abazoviçit për postin e Kryeministrit

Në Mal të Zi vijojnë bisedimet për formimin e një qeverie të pakicës sipas modelit të propozuar nga Lëvizja URA dhe që ka marrë mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve, me 30 deputetë në parlament.

Nikollë Gegaj, nga radhët e partisë së presidentit Milo Gjukanoviç, në një intervistë për Vizion Plus, bën të qartë se ky propozim shihet si zgjidhja më efektive e krizës por qeveria e re do të jetë e përkohshme dhe mund të kryesohet nga shqiptari Dritan Abazoviç.

NIKOLLË GEGAJ

PARTIA DEMOKRATIKE E SOCIALISTËVE

“Dritan Abazoviç është edhe lideri i lëvizjes “URA” i cili ishte iniciuesi për rrëzimin e qeverisë, atëherë ai mbetet një prej kandidatëve më seriozë që do të drejtojë qeverinë e re. Kjo qeveri nuk do të ketë mandat të plotë sepse për një vit do të organizohen zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale në Mal të Zi.”

Partia Demokratike e Socialistëve do të mbështesë qeverinë e re me votat e saj, por nuk do të jetë pjesë e kabinetit.

“Kjo qeveri, e cila shpresoj do të themelohet, quhet qeveri e pakicës apo qeveri minoritare mirëpo këtu nuk kanë të bëjnë vetëm pakicat, por do të funksionojë me mbështetjen e PDS e cila nuk do të jetë personalisht e kyçur me ministra dhe nuk do të ketë anëtarë në kabinetin e ri. Kur shumica të dalë me një propozim për mandatar, ne do ta përkrahim”.

Sipas socialdemokratëve, shkaku i krizës politike që po përjeton vendi prej muajsh është fakti se qeveria e re u formua në kishën ortodokse serbe, dhe ishte pikërisht kjo arsyeja që qeveria e Millo Gjukanoviç u rrëzua pas 30 vitesh në pushtet.

“Kjo krizë që ndodhi sot erdhi nga qeveria që u formua rreth shtatorit të vitit 2020, pikërisht me kishën ortodokse. U formua qeveria aty ku nuk ishte vendi që të themelohej pra në kishën ortodokse serbe, u formua një qeveri e ashtuquajtur e ekspertëve e cila tregoi rezultate shumë të dobëta dhe u rrëzua nga brenda vetes, pra nga shumica e pakënaqur.”

Sipas Kushtetutës, presidenti i jep mandatin për përbërjen e qeverisë së re një grupi politik që mund të sigurojë 41 vota në Kuvend për propozimin e tij. Nëse askush nuk mund ta plotësojë këtë kriter, atëherë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Por ky skenar, sipas analistëve, në këtë moment do të ishte në favor të partive proserbe.

Leave a Reply