Presidenti federal Steinmeier është kreu i dytë i shtetit gjerman që i kërkon falje Polonisë për shtypjen e Kryengritjes së Varshavës. Ai kishte folur më parë me të mbijetuarit e rezistencës.
Në përkujtimin e Kryengritjes së Varshavës 80 vjet më parë, Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier i kërkoi falje popullit polak. Nuk do të harrohen vuajtjet e pamatshme që gjermanët i shkaktuan vendit të tyre fqinj dhe me çfarë vullneti për asgjësim vepruan ata kundër të gjithë popullsisë, tha Steinmeier-i.
Presidenti Federal Steinmeier mori pjesë në përkujtimin e Kryengritjes së Varshavës 80 vjet më parë si shenjë kujtimi të krimeve gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti gjerman tha më tej se vuajtjet dhe dhimbjet vazhdojnë të prekin shumë familje. Kryengritja e Varshavës është gjithashtu një nga kapitujt më heroikë në historinë polake.
Steinmeier është presidenti i dytë gjerman – pas Roman Herzog-ut – që u ftua për të folur në këtë ditë të rëndësishme përkujtimi për Poloninë.
Më 1 gusht 1944, ushtria ilegale polake nisi një kryengritje kundër pushtimit gjerman. Por Wehrmacht-i dhe SS-ët e shtypën atë dhe kryen një masakër ndaj popullatës civile. Me afro 200.000 të vdekur, ky bën pjesë në krimet më të rënda gjermane të luftës./DW