Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka mbajtur një qëndrim kundër deklaratave të ish-presidentit amerikan Donald Trump i cili tha se nëse rikthehej në pushtet, do t’i jepte fund luftës Rusi-Ukrainë.
Zelensky tha se nëse ideja e Trump kishte në thelb tërheqjen e Ukrainës nga territoret e pushtuara nga Rusia, atëherë ishte shumë “primitive”.
“Nëse marrëveshja përfshin heqjen dorë nga territoret tona, dhe kjo është ideja pas saj, atëherë është një ide shumë primitive”– tha presidenti ukrainas.
Gjatë një interviste, Zelensky tha se duhet të takohej me ish-presidentin Trump për të diskutuar propozimet e tij duke theksuar se i duheshin argumente shumë të forta.
“Nuk kam nevojë për një ide fantastike, kam nevojë për një ide të vërtetë sepse jetët e njerëzve janë në rrezik. Ne thamë se do të donim që Donald Trump të vinte në Ukrainë, të shihte gjithçka me sytë e tij dhe të nxirrte përfundimet e tij. Në çdo rast, unë jam i gatshëm të takohem me të dhe të diskutoj këtë çështje”, shtoi ai.