Kombëtarja shqiptare ka arritur në Prishtinë pak pas orës 17:00, ku është pritur në mënyrë madhështore nga “Plisat” dhe një numër tifozësh, pranë hotelit ku ata do të qëndrojnë.
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana, me të arritur në Prishtinë tha se është i lumtur, që nesër do të zbresë në stadiumin e Prishtinës, duke shtuar se ky stadium është i lidhur me të dhe familjen e tij, sepse edhe babai i tij, Agim Cana ka qenë lojtar i Prishtinës.
“Jam krenar që jam në një vend dhe në një stadium me një histori të ngushtë, ku unë kam debutuar dhe ku babai im ka qenë pjesë e ekipit që i përket ky stadium. Shto këtu, në një moment kur kombëtarja jonë ka arritur një sukses dhe i ka bërë krenarë të gjithë shqiptarët me kualifikimin në Europianin e Francës”, ka thënë Cana.
“Pritja ka qenë shumë e mirë nga çdo person që kemi takuar, çdo makinë na kanë përshëndetur dhe të gjithë njerëzit, ashtu si dhe ‘Plisat’, ndaj dhe ishte vërtet një pritje fantastike”, ka deklaruar Cana.