Procesi kundër liderëve të UÇK/ Avokatët: Duam kohë për mbrojtje

Në seancën e radhës për çështjen Thaci, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, prokuroria e dhomave të specializuara me seli në Hagë, kërkoi përshpejtimin e gjyqit me argumentin se ekziston rreziku për frikësimin e dëshmitarëve.

Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Prokurori Jack Smith akuzoi palën mbrojtëse duke thënë se po kërkon ta shtyjë procesin.

JACK SMITH

PROKUROR I SPECIALIZUAR

“Është fakt që ka një hendek të madh midis dorëzimit apo nxjerrjes së të gjitha dokumenteve dhe datës së gjyqit sepse kjo do të rrezikojë dëshmitarët. Kjo është e vërteta dhe për këtë nuk është folur. Nëse dosja paraprake nxirret muaj më herët sesa data e nisjes së gjykimit, ajo do të mund të përdoren informacionet që përmban ajo për të frikësuar dëshmitarët.”

Por Jakup Krasniqi replikoi me prokurorin Jack Smith, duke i thënë se atij nuk i takon të flasë në emër të popullit të Kosovës.

JAKUP KRASNIQI

ISH-KRYETARI I KUVENDIT TË KOSOVËS

“Në emër të qytetarëve të Kosovës mund të flasim ne përfaqësuesit e tij. E kisha lutur prokurorin që nëse ai  duhet të flet në emër të dikujt ose nëse duhet të flet  emër të krimeve të pretenduara ai le të bëhet mbrojtës i politikave të krimit dhe gjenocidit që ka përdorur Serbia që nga vitit 1876-1878 ndaj popullit të Kosovës.”

Prokuroria ende nuk ka vendosur nëse do të përdorë të gjithë dëshmitarët në gjyq dhe argumentoi se për disa prej tyre do të duhet të vendosen masa mbrojtëse.

Por, avokati i ish presidentit Hashim Thaçi, David Hooper, tha se deri tani janë informuar për 124 dëshmitarë, të cilët Prokuroria i ka identifikuar vetëm me pseudonime. Ai kërkoi listën e plotë të dëshmitarëve, në mënyrë që mbrojtja të kryejë hetimet e duhura.

Ndërsa avokati i ish kreut të Partisë demokratike, Kadri Veseli, insistoi që dorëzimi i dosjes të ndodhë në fillimit të muajit prill. Ben Emmerson nënvizoi se prokuroria i ka varrosur provat thelbësore.

Leave a Reply