Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate nisi dje një proces për shkarkimin e Presidentit Donald Trump, duke e akuzuar atë për nxitjen e një rebelimi që synonte përmbysjen e rezultateve të Kolegjit Zgjedhor në selinë e Kongresit javën e kaluar. Por gjyqi në Senat, që është pjesë e procesit, nuk do të fillojë para inaugurimit të Presidentit të Zgjedhur javën e ardhshme.
Në të njëjtën sallë nga e cila një javë më parë ligjvënësit u larguan për t’u shpëtuar protestuesve pro-Trump që u përpoqën të anulonin çertifikimin e zotit Biden si President, Dhoma e Përfaqësuesve votoi pro ngritjes së akuzës për shkarkimin e Presidentit Donald Trump. Votimi përfundoi me 232 vota pro dhe 197 kundër.
Akuza e vetme që ngrihet është: nxitje rebelimi në Kapitol më 6 janar.
Akuza u ngrit pasi Zëvendës Presidenti Mike Pence informoi Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi se ai nuk do të aktivizonte dispozitën kushtetuese për heqjen e përkohshme të zotit Trump nga pushteti. Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve u zhvillua në Kapitol nën masa të rrepta sigurie dhe nën mbrojtjen e Gardës Kombëtare.
“Presidenti i pa rebelët jo si armiq të lirisë, siç edhe janë, por si mjet për një qëllim të kobshëm. Qëllimi që ai personalisht të mbetej në pushtet. Qëllimi i mospërfilljes së vullnetit të popullit. Qëllimi për t’i dhënë fund, me një përplasje të zjarrtë dhe të përgjakshme, gati dy shekujve e gjysmë të demokracisë sonë,” tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.
Shumica e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve argumentuan se veprimet e presidentit nuk ngriheshin në nivelin që justifikonte nisjen e një procesi shkarkimi, por disa prej tyre e pranuan rolin e tij në protestën e dhunshme.
“Presidenti mban përgjegjësi për sulmin e së mërkurës në Kongres nga protestuesit e dhunshëm. Ai duhet ta kishte denoncuar menjëherë turmën kur pa atë që po ndodhte,” tha Kevin McCarthy, udhëheqës republikan i pakicës.
Trump, presidenti i parë në historinë e vendit ndaj të cilit ndërmerret dy herë një proces shkarkimi, e ka mbrojtur fjalimin që mbajti në tubimin para trazirave. Por të mërkurën mbrëma ai e dënoi dhunën.
“Asnjë mbështetës i vërtetë i imi nuk do ta miratonte dhunën politike,” tha ai.
Dhjetë republikanë votuan pro ngritjes së akuzës, duke përfshirë ligjvënësen e rangut të lartë Liz Cheney, e cila i dënoi veprimet e zotit Trump si tradhtinë më të madhe ndonjëherë nga një president. Procesi kalon tani në një gjyq në Senat, ku disa republikanë mund t’u bashkohen demokratëve për ta shpallur fajtor presidentin.
“Nëse në ditët e ardhshme shohim një sulm të madh dhe të shëmtuar ndaj Kapitolit, atëherë mendoj se do të ketë më shumë energji për ta shpallur fajtor. Por nëse tensionet ulen, atëherë vullneti bie dhe senatorët mund të mos duan të shkojnë deri aty sa ta shpallin fajtor Presidentin Trump,” thotë Elaine Kamarck e Institutit Brookings.
Udhëheqësi i shumicës së senatit Mitch McConnell njoftoi se gjyqi nuk do të fillojë para inaugurimit të zoti Biden, çka mund ta zvarrisë axhendën e tij për pandeminë.
“Kjo nuk do të ishte diçka e mirë për zotin Biden dhe as për vendin, sepse të gjithë po presin të marrin ndihmë financiare për COVID-19n,” thotë analistja Kamarck.
Në një sondazh të bërë pas trazirave të 6 janarit, 56% e votuesve të regjistruar thonë se zoti Trump ishte përgjegjës për dhunën në Kapitol dhe një shumicë e vogël shprehet se ai duhej të hiqet nga detyra. Nëse shpallet fajtor, zotit Trump do t’i ndalohej të kandidonte përsëri për poste federale./VOA/