Qeveria e Kosovës pasi ka miratuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, e ka proceduar atë në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim
Me Ligjin për dialogun përcaktohet hierarkia institucionale dhe procedura vendimmarrëse, derisa thuhet se rregullon funksionimin e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës për dialogun me Serbinë duke përcaktuar strukturën organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësitë.
Edhe ky projektligj si i gjithë procesi, kundërshtohet nga dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja, Besa Gaxherri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se në formën se si është duke u punuar nga Qeveria dhe partitë në pushtet nuk mund të krijohet uniteti për dialog as e as të miratohet ligj.
“Në këtë formë nuk mund të krijohet uniteti për dialog e as duke bërë ligj, prandaj unë konsideroj se ne duhet të kërkojmë zgjedhje dhe duhet të marrim besimin te qytetaret e vendit dhe t’i marrim përgjegjësitë. Qasja se si ka shkuar deri tash dialogu ku nuk kishte fare transparencë, ne normal që jemi të shqetësuar”, tha Gaxherri.
Sipas Gaxherrit, për çështjen e dialogut nuk duhet të nxitohet, ngase ka të bëjë me interesat e vendit.
“Nuk kemi nevojë të besojmë në thirrjet e presidentit që e çuan çdo veprim të tij historik”, tha ajo.
Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se nuk e përkrahin Projektligjin për dialog. Deputetja Albulena Haxhiu tha se Vetëvendosje nuk do ta votojë ligjin në fjalë, dhe sipas saj, me veprime institucionale do të reagojnë si në Kuvend ashtu edhe jashtë tij.
“Edhe rezoluta edhe projektligji që Qeveria i ka miratuar dhe proceduar për në Kuvendin e Kosovës, për ne si Vetëvendosje janë të papranueshme për faktin se ne jemi dëshmitar të asaj se procesi i dialogut prej vitit 2011 deri në vitin 2017 ka qenë në dëm të Republikës së Kosovës. Në këtë kuptim është e papranueshme për Vetëvendosjen që të ecim në një fazë të re pa e shqyrtuar procesin e dialogut gjashtëvjeçar”, tha Haxhiu.
Qeveria ka miratuar tashmë formimin e grupit negociator të Kosovës për dialogun me Serbinë, që përbëhet edhe nga Partia Socialdemokrate, e cila ndodhet në opozitë. Por, ky grup duhet të votohet edhe në Kuvendin e Kosovës. Sipas Projektligjit, Delegacioni Shtetëror i mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës funksionon në bazë të dokumenteve themelore; platformës shtetërore dhe strategjisë negociuese të delegacionit shtetëror.
Deputetja Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nuk mund të thuhet se pjesë e grupit negociator është edhe një parti politike opozitare derisa në atë grup, siç tha ajo, nuk janë dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.
“Të gjitha këto janë hipokrizi, manipulime dhe mashtrime që po u bëhen qytetarëve. Siç duket ky subjekt politik që po tenton ta legjitimojë Hashim Thaçin e ka qëllimin që të bëjë gjithçka vetëm që vendi të mos shkojë në zgjedhje, por unë mendoj se kjo është qasje jashtëzakonisht e dëmshme”, tha Haxhiu.
Ndryshe, dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike dhe Vetëvendosje i kanë shkruar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini dhe Komisionarit për Zgjerim, Johannes Hahn, përmes së cilës theksojnë se ekipi negociator i Kosovës për bisedimet me Serbinë nuk e ka mbështetjen e shumicës së opozitës në Kosovës.
Institucionet e Kosovës po i bëjnë përgatitjet për fazën finale të bisedimeve me Serbinë, në kuadër të dialogut që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel. Sipas Prishtinës zyrtare, synimet janë që në fund të këtij procesi, Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje e cila do të ishte ligjërisht obligative për të dyja shtetet, me anë të së cilës Kosova do të siguronte edhe ulësen e saj në Kombet e Bashkuara./rel