Parlamenti u mblodh këtë të hënë në seancën e fundit para se të marrë pushimet verore, për të diskutuar projektligjin për turizmin.
Mazhoranca thotë se përmes këtij projektligji Shqipëria do të vendoset në një destinacion të preferuar dhe konkurrues në tregun ndërkombëtar të këtij sektori.
“Ky ligj sjell turizëm vjetor të integruar, zhvilllimin e turizmit të qëndrueshëm, formalizimin dhe standardizimin e industrisë së turizmit, krijimin e programeve kombëtare për stafin për turizmin, me tre programe, turizmi për të rinjtë, eko-turizmi dhe programi për turizmin malor dhe bregdetar”, tha në fjalën e tij deputeti socialist, Bashkim Fino.
Sipas Finos, ligji do të mundësojë nisjen e klasifikimit, standardizimit dhe dhënien e licencave për operatorët dhe agjencitë turistike, proces ky që do të kryhet nga ministria përkatëse me ndihmën dhe bashkëpunimin e agjencive ndërkombëtare që punojnë me këtë sektor.
Opozita kundërshton projektligjin dhe këtë e ka njoftuar edhe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, i cili shqyrtoi javën e kaluar propozimin e mazhorancës. Sipas Partisë Demokratike, ligji ka koncepte të gabuara, por dhe një përqendrim të tepruar të kompetencave në një ministri të vetme.