Reforma territoriale nuk është pjesë e marrëveshjes Rama-Basha, por Partia Demokratike e cilësoi atë një nga çështjet kyçe të aksionit në shtator.
Top Channel mësoi se PD nuk ka ende një plan konkret, por do ngrejë një grup që do hartojë propozimet për një ndarje me më shume se 61 bashki. Demokratet thonë se 100 bashki i bëjnë më të afërta shërbimet për qytetarët.
“Beteja për zgjedhjet e lira e të ndershme do të jetë një nga betejat kryesore. Së bashku me betejën për një ndarje të drejtë territoriale që u përgjigjet interesave të qytetarëve dhe jo të politikës grabitqare, si dhe reformat e tjera të rëndësishme”, thoshte Basha.
Top Channel mësoi se partia më e madhe e opozitës nuk ka ende një plan të detajuar sesi e mendon ajo Reformën Territoriale, por së shpejti në Partinë Demokratike do të ngrihet një grup pune që do të hartojë propozimet e opozitës për një ndarje të re territoriale, me më shumë se 61 bashki.
Partia Demokratike nuk e pranoi asnjëherë reformën e bërë nga qeveria “Rama” në mandatin e saj të parë, së bashku me LSI-në dhe PDIU-në. Në atë kohë, demokratët mbrojtën idenë se ndarja e re i shërbente rritjes së pushtetit politik të kryeministrit, largonte shërbimet nga qytetari dhe rriste kostot.
Mesohet gjithashtu se Reforma Territoriale ka qenë pjesë e diskutimeve mes Ramës dhe Bashës, por mungesa e një marrëveshjeje për këtë çështje më 18 maj e komplikon parashikimin, nëse me nisjen e legjislaturës së re do të ketë apo jo mirëkuptim për të prekur Reformën Territoriale 3 vite pas miratimit të saj.
Në dëgjesën e së dielës në Fier, kryeministri Rama pranoi defektet e funksionimit të ish-komunave, të kthyera në Njësi Administrative, në raport me shërbimin ndaj qytetarëve.
“Dhe ajo që ka ndodhur është që, jo vetëm nuk e kemi ulur numrin e njerëzve që shërbejnë në pushtetin vendor, por përkundrazi, na është rritur edhe kosto financiare për shkak të një politike shumë të gabuar, në përgjithësi, punësimesh në shtet që nuk përkthehet në shërbime për njerëzit”, tha Rama.
Pohimi i kryeministrit nuk preku thelbin e kërkesës së opozitës, ndryshimin e numrit të bashkive, sipas një ideje të përgjithshme të saj deri në 100. Por, nëse palët nuk gjejnë kompromis muajt e ardhshëm, opozita nuk përjashton nga plani i saj zhvillimin e referendumeve lokale.