Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, u takuan këtë të mërkurë në selinë e Partisë Demokratike. Në fokus të diskutimeve mes tyre ishte protesta e 6 Dhjetorit në Tiranë.
Ky takim nuk ka qenë i planifikuar. Meta mbërriti në selinë e PD pas vendimit të qeverisë për ta shpallur ditë pushimi për Tiranën 6 Dhjetorin në kuadër të sigurisë së samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Si pjesë e perimetrit të sigurisë përfshihet edhe Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” ku PD ka paralajmëruar që më 6 Dhjetor do të mbajë protestë. Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli, raportoi se Meta ka shkuar në selinë blu për t’u konsultuar sërish me Berishën për zhvillimin e protestës.https://www.youtube.com/embed/OrP1B9t_akI
Nuk dihet nëse do të ketë apo jo zhvendosje të protestës nga bulevardi, apo ndonjë vend tjetër ku nuk cenohet siguria sipas autoriteteve.
Administrata dhe shkollat do të jenë pushim të martën. Pasi në Tiranë do të mbërrijnë 45 delegacione të BE-së për samitin pritet që i gjithë Bulevardi të jetë me perimetër sigurie. Aty nuk do të kalojë askush që është i paakredituar. E bllokuar pritet që të jetë dhe unaza. Klan News ka mësuar po ashtu se, qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Rinasit duhet të gjejnë rrugë të tjera alternative pasi rruga kryesore do të jetë e bllokuar gjithashtu.
Meta: Në datën 6 përballë përgjegjësit për kapjen e shtetit
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, foli për mediat pasi pati një takim me kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha në selinë blu. Meta u shpreh se në datën 6 populli do të dalë “përballë përgjegjësit për kapjen e shtetit dhe për minimin e gjithë procesit të integrimit europian të Shqipërisë për vite të tëra”.
Ilir Meta: Jemi për Shqipërinë europiane, jo për regjim policor.
Pyetje: Për hir të europianëve është vendosur edhe ky perimetri i sigurisë?
Ilir Meta: Në datën 6 përballë përgjegjësit për kapjen e shtetit dhe për minimin e gjithë procesit të integrimit europian të Shqipërisë për vite të tëra.
Pyetje: Edhe nëse kjo cënon sigurinë e liderëve europianë do të protestoni aty?
Ilir Meta: Sigurinë e Europës e kërcënon mafia që përdor shtetin për ta kthyer Shqipërinë në një bazë logjistike të mafias ndërkombëtare për të gjitha llojet e trafiqeve me në krye kokainën. Nuk vjen asnjë problem i sigurisë nga qytetarët e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë që duan një Shqipëri europiane dhe që e duan sot dhe asnjë ditë më vonë.