Përpara një mitingu masiv antiqeveritar të planifikuar për këtë të diel nga opozita, kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
Në një deklaratë të dhënë për një kanal televiziv privat dhe proqeveritar, “Sitel TV”, Gruevski ka thënë se “nuk kam ndërmend të dorëhiqem, apo të pranoj një qeveri tranzicioni”.
Mijëra vetë priten të dalin rrugëve të kryeqytetit të Maqedonisë, Shkup, për të kërkuar dorëheqjen e kabinetit të drejtuar nga kryeministri aktual Gruevski.
Ish-Republika jugosllave e Maqedonisë është tronditur së fundi nga një krizë e thellë politike, e cila është thelluar edhe më tej pas shpërthimit të skandalit të përgjimeve, por që kulmin e pati gjatë dhunës së fundjavës së kaluar, kur 18 persona mbetën të vdekur gjatë një përplasjeje mes policisë dhe një grupi “terrorist” siç u quajt nga pala maqedonase, në qytetin e Kumanovës.
Gruevski qëndron në pushtet që prej vitit 2006, ndërsa LSDM-ja opozitare ka bojkotuar Parlamentin që prej rizgjedhjes së tij në Prill të vitit të kaluar, duke pretenduar disa shkelje ligjore të tij.
Ndërkohë, Rusia ka akuzuar “organizatorët e Perëndimit” se po përpiqen të krijojnë një “revolucion me ngjyrë” në Maqedoni, ku tensionet sa vijnë e shtohen përpara protestës së opozitës.