Personat e arrestuar gjatë protestës së dhunshme mbrëmjen e së hënës në Prishtinë, mbeten nën arrest deri të enjten, kur Gjykata Themelore pritet të marrë vendimin lidhur me masën e sigurisë për ata.
Prokurorja e rastit, Arbresha Shala fillimisht ka kërkuar një muaj paraburgim për të nëntë të arrestuarit, por gjatë seancës të zhvilluar të mërkurën, këtë masë të sigurisë e ka kërkuar vetëm për anëtarin e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Ylli Hoxha dhe aktivistët e kësaj lëvizje Uran Hasanin, Premton Ibërdemajn, Adnan Loshajn dhe Arbër Kaqorraj.
Prokurorja Shala është tërhequr nga kërkesa për një muaj paraburgmim për të arrestuarit Shpat Selmanaj, Endrit Cacaj, Visar Dobra dhe Ardon Mulaj.
Këto detaje i ka bërë të ditura avokati mbrojtës i Shpat Selmanajt, Driton Govori, sipas të cilit prokurori nuk ka sqaruar se cila do të jetë kërkesa për klientin e tij dhe tre të dyshuarit e tjerë.
Të pandehurit në fjalë akuzohen për pjesëmarrje në turmë dhe lëndim të personave zyrtarë. Nën masa të larta sigurie, të gjithë të arrestuarit janë kthyer në qendrën e paraburgimit, në pritje të vendimit për masën e sigurisë.
Ndërkohë, në oborrin e Pallatit të Drejtësisë, gjatë kohës që zhvillohej seanca gjyqësore kanë qëndruar aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe familjarë të të arrestuarve.