Dhjetëra mijëra qytetarë dolën me pankarta në duar në Shtetet e Bashkuara duke protestuar kundër kreut të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, dhe këshilltarit të tij, Elon Musk.
Protestuesit po reagojnë, ndërsa rezistenca e tyre po rritet dalëngadalë. Ata janë të revoltuar në lidhje me politikat e Trump, si vendosja e tarifave, masat e ashpra kundër emigrantëve dhe pushimet masive nga puna.
Vetëm në kryeqytetin amerikan, disa mijëra demonstrues të shtunën u mblodhën pranë Shtëpisë së Bardhë.
Demonstrata të mëdha pati edhe në mjaft qytete të tjera, në Nju Jork, Los Anxhelos, Atlanta, Boston, Detroit dhe Çikago.
Në Uashington, demonstruesit mbanin postera me mbishkrime si “Larg duart nga demokracia” ose “Ndal grushtin e shtetit”, duke kërkuar, ndër të tjera, të mbrohet Kushtetuta dhe të mos preket sistemi social.
Pak ditë më parë, senatori demokrat Cory Booker tërhoqi shumë vëmendje me një fjalim maratonë 25 orësh kundër presidentit Trump në kongres. Së fundmi, ish-presidenti demokrat Barack Obama dhe rivalja e Trump, Kamala Harris, gjithashtu folën në mënyrë kritike pas një periudhe të gjatë heshtjeje.
Protesta të ngjashme për tarifat u zhvilluan edhe në vende të tjera, veçanërisht në Berlin, Paris dhe Londër.