Tetë partitë kryesore politike në Nepal kanë kërkuar që presidenti Ram Chandra Poudel të rikthejë parlamentin e shpërbërë.
Parlamenti u shpërbë të premten me rekomandim të kryeministres së përkohshme Sushila Karki, pas protestave të dhunshme kundër korrupsionit.
Gjatë protestave u vranë mbi 50 persona, ndërsa u dogjën godina shtetërore në Kathmandu. Lëvizja e udhëhequr nga të rinjtë e “Gen Z” kishte kërkesë kryesore shpërbërjen e parlamentit dhe zgjedhje të reja.
Megjithatë, partitë thonë se kërkesat e protestuesve duhet të trajtohen nga një institucion i zgjedhur nga populli. Presidenti Poudel u bëri thirrje palëve të tregojnë përmbajtje dhe të ndihmojnë në mbajtjen e zgjedhjeve më 5 mars.
Sushila Karki, ish-kryetare e Gjykatës së Lartë, është gruaja e parë që udhëheq qeverinë në Nepal. Ajo ka mbështetjen e protestuesve të rinj dhe pritet të formojë kabinetin brenda disa ditësh.
Qeveria e saj do të përballet me sfida të mëdha, përfshirë rindërtimin dhe rivendosjen e rendit publik. Nepali po i rikthehet normalitetit pas trazirave më të rënda në dekada.


