Dhjetëra mijëra njerëz marshuan përmes qendrës së kryeqytetit Bjellorus Minsk të dielën për të kërkuar që autoritetet të lirojnë të burgosurit politikë. Policia përdori makinat e ujit për t’i shpërndarë.
Marshimi i së dielës është një tjetër demonstrim në një seri tubimesh në Bjellorusi që nga zgjedhjet e 9 gushtit, që Presidenti Aleksandër Lukashenko pretendon se i fitoi me rezultat të thellë. Kundërshtarët e tij thonë se zgjedhjet u manipuluan për t’i dhënë atij një mandat të gjashtë në pushtet.
Më shumë se 100 mijë njerëz u mblodhën në Minsk, tha kanali i lajmeve të opozitës Nexta në aplikacionin e mesazheve Telegram. Vlerësimet zyrtare janë zakonisht më të ulëta.
Njerëzit, duke tundur flamuj të bardhë me një shirit të kuq, të cilat janë bërë simboli i opozitës bjelloruse, marshuan duke u rënë daulleve drejt qendrave të paraburgimit, siç tregonin fotografitë dhe videot e postuara në mediat sociale.
“Lirojini”, thërrisnin njerëzit pranë mureve të qendrës së paraburgimit Okrestina, ku besohet se mbahen disa protestues dhe kundërshtarë të Lukashenkos.
Zoti Lukashenko po përpiqet të frenojë gati dy muaj protesta në rrugë që përbëjnë edhe sfidën më të madhe për të gjatë 26 viteve të tij në pushtet.
Më shumë se 13,000 njerëz janë arrestuar dhe disa më vonë janë liruar, ndërkohë që figurat kryesore të opozitës janë burgosur ose internuar.
Policia bjelloruse të dielën përdori pompat e ujit me presion të montuara në automjete të blinduara për të shpërndarë protestuesit dhe ndaloi shumë prej tyre, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax.
Policë të armatosur me helmeta të zeza që mbanin shkopinj rrethuan rrugët në qendër të Minskut, ndërsa disa stacione të metrosë përkohësisht mbyllën dyert për udhëtarët.
Autoritetet urdhëruan uljen e shpejtësisë së internetit, që u rikthye në normale të dielën vonë. Tubime kundër Lukashenkos pati edhe në qytete të tjera të Bjellorusisë./VOA/