Është tensionuar sërish situata para Kuvendit, pasi protestuesit kanë tentuar të depërtojnë nëpër kordonin e policisë për të hyrë në objektin e Kuvendit të Kosovës.
Ata janë ndaluar nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Kosovës.
Ndërkohë, është parë edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK, Faton Klinkau derisa ka tentuar t’i largojë protestuesit të cilët qëndronin duke u shtyrë me policët.
Pas kësaj, atyre u është drejtuar Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjareve të Dëshmorëve.
“Duke u ndihmuar në votim me deputetet e Listës Serbe, kjo qeveri e dëshmoi që është e gatshme të njollosë luftën e lavdishme të UÇK-së dhe ne i themi dhe i bëjmë me dije qeverisë dhe gjithë atyre që kanë tendenca të tilla që ka, nuk ka forcë, as vendore e as ndërkombëtare që mund të njollosë luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së. Andaj ju ftojmë të qëndrojmë dinjitetshëm dhe të mosprovokohemi nga askush dhe të mos krijojmë incidente me Policinë e Kosovës”, u ka thënë Jashari protestuesve.