Midis nesh
Akademia e shkencave dhe arteve është institucioni më eminent i një populli, i një shteti! Aty mund të aderojnë vetëm ata shkencëtarë, artistë e krijues që përgjatë një karriere të tërë kanë lënë gjurmë në fusha të caktuara shkencore e artistike, duke u vlerësuar me të drejtë si krenaria kombëtare! Akademikët janë, thjesht, pararojë e interesave kombëtare.
Një institucion të këtillë e kanë edhe maqedonasit, i cili quhet Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve (maqedonisht: Македонска Академија на Науките и Уметностите, МАНУ)! Pra, nuk është “Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë”, siç mundohen ta “riemërtojnë” disa “akademikë” shqiptarë, të jashtëm e të brendshëm që janë bërë anëtarë të këtij institucioni viteve të fundit!
Të jesh anëtarë i kësaj Akademia, sikundër të jesh edhe anëtarë i Shoqatës së Shkrimtarëve Maqedonas, kjo për shqiptarët nuk duhet të paraqesë, absolutisht, kurrfarë kënaqësia. Së këndejmi, është i pakuptimtë insistimi politik që me çdo kusht të përfshihen edhe akademikë e shkrimtarë shqiptarë në të tilla “institucione maqedonase”!
Sot, mbase kemi dy-tre akademikë shqiptarë që janë pranuar si akademikë të rregullt në Akademinë Maqedonase! Dhe, cili është kontributi i tyre në të mirë të interesave nacionale të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut? Ose, a mund të na thonë këta “akademikë” shqiptarë, a mund të na thonë edhe të tjerë “intelektualë” shqiptarë që po vdesin nga dëshira për t’u bërë akademikë me çdo kusht, cili ishte kontributi i Akademisë Maqedonase për interes të shqiptarëve të RMV-së? Çka ka bërë kjo Akademi për shqiptarët, a i ka vlerësuar si popull i lashtë, me vlera absolutisht të paprekshme e të pacenueshme, si vlerë e veçantë e shoqërisë që jeton në RMV! Cili qëndrim i kësaj Akademie etnikisht të pastër dhe i “akademikëve” maqedonas ka hedhur dritë qoftë edhe mbi një vlerë fare të papërfillshëm të shqiptarëve të këtij vendi!
Ekziston vetëm një e vërtetë: Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve ka pasur një sinergji të përhershme me disa akademi të tjera, kundër popullit shqiptar, kundër vlerave të tij të lashta sa vetë historia e rajonit dhe më gjerë!
Ishte një periudhë kur disa “intelektualë” shqiptarë politikisht të manipulueshëm, shprehën dëshirë që të “nderohen” duke u përfshirë në këtë Akademi! Këta “intelektualë” shpresonin se me përfshirjen e dy-tre emrave shqiptarë në Akademinë Maqedonase, do t’ia dalin ta ndryshojnë qëndrimin politik (jo akademik!) në raport me shqiptarët! Në fakt, doli puna që tërë kjo Akademi u përfshi në ruajtjen e superioritetit të maqedonizmës, qoftë kjo edhe me dhunë e me politika fashizoide, duke u angazhuar që RMV-së t’ia japin ekskluzivisht karakterin nacional maqedonas. Të tjerët mund të llogariten vetëm si “komunitete” që nëse dëshirojnë mund të jetojnë në këtë nënqiell, por duke iu nënshtruar, pa rezervë, projekteve dhe strategjive që hartohen nga akademikë të diskutueshëm nëpër zyre të nëntokës shovene!
“Akademikët” shqiptarë në këtë Akademi Maqedonase, nuk shprehën asnjë shqetësim, asnjë skuqje të fytyrës, asnjë tmerr nga qëndrimet të shumta antishqiptare; nuk reaguan as atëherë kur u shprehën qëndrime institucionale, por dhe akademike kundër orientimeve mbarëkombëtare të shqiptarëve me sy kah Evropa dhe kah vlerat e përgjithshme evropiane! Akademikët maqedonas shpesh folën edhe në emër të Akademisë në të cilën aderojnë edhe “akademikë” shqiptarë të brendshëm e të jashtëm, folën dhe shprehën “qëndrime akademike” kundër Perëndimit që po ndihmon Ukrainën vetëm për ta nënshtruan Rusinë në luftën në mes këtyre dy shteteve që janë me mijëra kilometra larg Maqedonisë së Veriut!
“Akademikët” shqiptarë na u shqetësuan dhe na “u rebeluan” kohëve të fundit, sepse Akademia Maqedonase na qenka barrikaduar shumë fort dhe nuk po lejojnë që të zgjidhet asnjë anëtar shqiptar për akademik. Dhe, pikërisht për këtë fakt, “akademikët” shqiptarë shprehin shqetësimin dhe iniciojnë idenë e mundshme për themelimin e një Institucioni akademik shqiptar ku do të aderojnë akademikët shqiptarë të vendit. Kurse, assesi t’ju kujtohet që së pari të dalin nga kjo Akademi Maqedonase, në shenjë revolte kundër çdo veprimi dhe qëndrimi institucional antishqiptar dhe, të themelojnë një Institucion paralel, prapa të cilit do të qëndronte buxheti shtetëror! Ose, le të heshtin e le të marrin ndonjë honorar, siç po heshtin pa honorar edhe disa “akademikë”, të cilët na thanë se tashmë një “akademi nën hije” e paskan formuar, por që mbase nuk kanë buxhet për të folur e për të shkruar, për të reaguar e për t’u kacafytur shkencërisht me tezat antishkencore të pseudo-akademikëve të taborreve të ndryshëm! /HEJZA/