Kjo është një tjetër video që ka fiksuar momentin e shpërthimit tragjik në Lushnje dhe që la të vdekur 2 persona, babë e bir dhe që plagosi 7 të tjerë. Shpërthimi i fiksuar nga një kënd tjetër, ka krijuar valë të fuqishme goditjeje dhe një re të madhe tymi. Një ditë pas këtij shpërthimi në vendngjarje kanë zbarkuar ekspertët e policisë dhe prokurorisë të cilët po kryejnë verifikime për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarje.
Dyshimet paraprake të hetuesve janë përqëndruar në dy pista. Njëra që ngjarja ka ardhur për shkak se vinçi ka prekur një prej shtyllave të tensionit të lartë të energjisë. Ndërsa tjetra se vinçi po ngrinte dy bombula oksigjeni, dhe një prej tyre ka rënë duke shpërthyer.
Mbi këto dyshime në vendngjarje kanë mbërritur dhe ekspertët xhenierë, për shkak të dyshimeve se një bombula tjetër e oksigjenit që ndodhet në vinç nuk ka shpërthyer dhe mund të përbëjë rrezik.
Krahas dy viktimave dhe të plagosurve, siç mund ta shihni dhe në pamje ky shpërthim la pas dhe dëme të shumta materiale tek banesat që ndodheshin pranë.
“Me këtë gjendje që është shtëpia edhe mund të kisha njerëz të vrarë. I ka ruajtur Zoti!”
“30 vjet çuni në Greqi ka punuar për këtë shtëpi “
Por jo vetëm dëme në njerëz dhe materiale, ngjarja ka shkaktuar trauma tek të gjithë qytetarët që e përjetuan këtë ngjarje.
Aktulisht 2 të plagosur mes të cilëve dhe deputeti socialist, Bujar Çela po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa nga 4 të lënduarit e tjerë nga shpërthimi, vetëm 3 prej tyre ndodhen ende në spital.
Tv Klan