Dhomat e Specializuara me seli në Hagë, publikuan të enjten mbrëma aktakuzën për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarin e Partisë Demokratike, Kadri Veseli, kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate Jakup Krasniqi dhe shefin e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët ngarkohen për krime lufte.
Të gjithë këta, ish drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen tashmë në qendrën e paraburgimit të Gjykatës së Posaçme në Hagë.
Në njoftim thuhet se gjykatësi i procedurës paraprake konfirmoi aktakuzën kundër tyre më 26 tetor 2020.
Në aktakuzën prej 68 faqesh thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes“.
Sipas aktakuzës krimet janë kryer në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime.
“Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: serbë, romë dhe ashkalinj; katolikë; civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së“, thuhet aty.
Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi “mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së“.