Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të votuesve për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, për votuesit brenda vendit. Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3,713,761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit.
Nga këta, 114,642 zgjedhës votojnë për herë të parë; 1,081 shtetas të papërfshirë për shkak të dekriminalizimit dhe 5,225 është numri i qendrave të votimit.
Procesi i hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve të KQZ-së, duke kaluar në disa faza në zbatim të dekretit të Presidentit, përmes publikimeve të 3 ekstrakteve të përbërësve zgjedhore.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori:
– Zgjedhësit që jetojnë brenda vendit;
– Zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit.
Lista përfundimtare përmbyll procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së Zgjedhësve. Drejtoria e Gjendjes Civile në çdo bashki vijon të përmbushë detyrimet mbi përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore.
Ndërkohë qytetarët mund të aplikojnë apo rinovojnë letërnjoftimet elektronike të skaduara, si një nga 2 dokumentet biometrike, që përdoren për identifikimin e votuesve në zgjedhjet e 11 Majit.
Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve të identitetit “IdentiTek” mbeten të angazhuara në përmbushje të standardeve më të larta, të këtij procesi të rëndësishëm.