Shtëpia e Lirisë”, kështu quhet koalicioni i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike me LSI-në për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit.
Sot është bërë publike dhe logoja e këtij koalicioni, ku vihet re ngjyra blu dhe ndërthurja me flamurin shqiptar.
Lajmin e koalicionit e dha ditën e djeshme ish-Kryeministri Sali Berisha ku deklaroi se 6 kandidatët të cilët dolën fitues nga primaret do të regjistrohen në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit në koalicionin politik të quajtur “Shtëpia e Lirisë” së bashku me LSI-në.
“Koalicioni do të quhet Shtëpia e Lirisë. Shtëpia e Lirisë do të ketë logon e vetë”, tha Berisha.
Në marrëveshjen politike të koalicionit thuhet se:
“Ne po bashkohemi si parti dhe si qytetarë për t’i sjellë ndryshimin Shqipërisë. Ne bashkohemi që të garantojmë fitoren në zgjedhjet e ardhshme dhe t’i sjellim ndryshim vendit tonë.
Të gjithë e dimë që duhet ndryshim. Shqiptarët janë të fortë, Shqipëria është e fortë. Ka vetëm një përgjegjës për dënimin e Shqipërisë në 8 vitet e fundit dhe ky është Edi Rama.
Ne po ndajmë të njëjtat vlera e parime në veprimtarinë e përgjithshme politike, si dhe në vizionin për qeverisjen e vendit. Dëshirojmë të koordinojmë angazhimet dhe kontributin për fitoren e përbashkët dhe prandaj:
VENDOSËM QË:
1.Të formojmë një Koalicion të gjerë opozitar për të konkurruar së bashku në zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie në bashkitë, Shkodër, Dibër, Durrës, Rrogozhinë, Vorë dhe Lushnjë, të datës 06 Mars 2022.
2.Emri i koalicionit është “Shtëpia e Lirisë”
3.Shkronjat nistore të koalicionit do të jenë “SH-L”.
Drejtuese politike e koalicionit është Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit”.