Presidenti rus u shpreh se Rusia është e gatshme për bisedime me Kievin sipas kushteve të marrëveshjës së Stambollit në 2022
Duke folur në Forumin Ekonomik Lindor të Rusisë në qytetin e Vladivostok, presidenti rus Vladimir Putin u shpreh se “objektivi kryesor” i Rusisë mbetet kapja e rajonit të Donbasit të Ukrainës dhe se përpjekjet për të ngadalësuar përparimin e Moskës përmes inkursionit të Kurskut kishin dështuar.
Vladimir Putin, Presidenti i Rusisë: A ia dolën apo jo? Jo, armiku nuk ia doli për asgjë. Së pari forcat tona të armatosura e kanë stabilizuar situatën dhe kanë filluar t’i largojnë gradualisht nga territoret kufitare. Së dyti dhe më e rëndësishmja, nuk ka pasur asnjë ngadalësim.
Mes të tjerash kreu i Kremlinit u shpreh se Rusia është e gatshme për bisedime por në bazë të një marrëveshjeje midis negociatorëve të Moskës dhe Kievit të arritur në Stamboll në vitin 2022 kushtet e së cilës nuk u bënë publike kurrë.
“A jemi gati të negociojmë me ta? Ne kurrë nuk kemi refuzuar ta bëjmë këtë, por jo në bazë të disa kërkesave kalimtare, por në bazë të atyre kushteve që janë rënë dakord dhe janë iniciuar në Stamboll”, tha Putin.
Gjatë Forumit Ekonomik Lindor Putin u shpreh me ironi se Rusia më parë donte që Joe Biden të fitonte zgjedhjet presidenciale në SHBA, por tani ajo mbështet Kamala Harris.
Vladimir Putin, Presidenti i Rusisë: Sa i përket favoritëve, nuk ka nevojë të përkufizohet, kjo është një zgjedhje nga populli i Amerikës në fund. Unë kam thënë se i preferuari ynë, ishte presidenti në detyrë, zoti Biden. Ai i këshilloi të gjithë mbështetësit e tij që të mbështesin Harris, kështu edhe ne do ta mbështesim edhe atë.
Mes të tjerash ai përmendi edhe rastin e Pavel Durov i cili u ndalua nga Franca për të cilën tha se nuk i kuptonte veprimet që qeveria franceze ka ndërmarrë së fundmi ndaj themeluesit të Telegram.