Afrimiteti i kandidates së ekstremit të djathtë për presidencën franceze, Marine le Pen duket se nuk ndikoi shumë në performancën e saj në raundin e parë zgjedhor.
Por gjërat mund të ndryshojnë në balotazh. Kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit, Le Pen iu bashkua korit të zërave ndërkombëtare që e dënuan agresionin.
“Asnjë arsye nuk e justifikon dot ndërmarrjen e një operacioni ushtarak kundër Ukrainës që shkatërron balancën e paqes në Europë”, deklaroi ajo atëherë e kërkoi që agresionit t`i jepej fund menjëherë. Këto fjalë kontrastonin thellë me afrimitetin historik të Le Pen dhe Putinit.
Udhëheqësi rus e pati ftuar në Kremlin në 2017-tën, disa javë përpara zgjedhjeve të fundit presidenciale në Francë, dhe fotoja e shtrëngimit të duarve të tyre, u kthye në poster fushate, për t`u hequr më vonë pasi filloi lufta.
Në manifestin e saj, Le Pen zotohet për aleancë me Rusinë sa i takon politikës europiane të sigurisë. Dhe për fushatën presidenciale të 2017-tës, Le Pen mori kredi €9 million nga një bankë ruse. Kur Moska aneksoi Krimenë tre vjet më parë, kishte befasuar me deklaratën e saj që binte ndesh me qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar.
“Nuk mendoj se duhet thënë që pati një aneksim të paligjshëm. Banorët e Krimesë e deklaruan me referendum se e kërkonin vetë bashkimin e me Rusinë, u shpreh ajo. Së fundi, tha se nëse mposht Macronin në balotazh, do të kërkojë që të ketë marrëdhënie më të ngushta mes NATO-s e Rusisë, duke sheshuar kështu armiqësitë dhe se do ta largojë vendin e saj nga aleanca ushtarake.
Niveli i popullaritetit të lideres së ekstremit të djathtë pësoi rënie të fortë menjëherë pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, pavarësisht se ajo u distancua nga Moska për këtë lëvizje. Megjithatë, Le Pen e mori veten në sondazhe pasi nisi të fokusohej tek pasojat e luftës dhe rritja e çmimeve për shkak të sanksioneve.
Ajo premtoi uljen e tyre për produktet e shportës nëse fiton, një prej shqetësimeve kryesore ky i votuesve francezë, ndërsa Macron u përqëndrua tek kriza ndërkombëtare, duke anashkaluar nevojat e qytetarëve të vet. Por balotazhi pritet të jetë goxha më i vështirë për Le Pen.
Deri tani mbështetja e saj kryesore ka qenë shtresa e mesme dhe klasa punëtore, ama ekspertët thonë se të fitojë në raundin e dytë, do t`i duhet medoemos ta zgjerojë përkrahjen e saj nga zgjedhësit e moderuafr e të arsimuar, të cilat janë të informuar më mirë dhe të shqetësuar nga afrimiteti që Le Pen ka me Moskën.