Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e dënoi dhunën e mbrëmjes së të premtes në seancën e Kuvendit të Kosovës dhe vlerësoi lartë punën e forcave të rendit si dhe sjelljen e kulturuar, siç u shpreh ai, të deputetëve të pozitës.
Në mbledhjen e qeverisë të shtunën, ai ftoi edhe njëherë opozitën që t’i kthehet punës në Kuvend duke ritheksuar se askush nuk mund ta ndalë punën e organit më të lartë ligjvënës.
“Vlerësoj sjelljen tepër të kulturuar të deputetëve të opozitës sepse e kanë patur të vështirë të punojnë në ambient të tillë, por edhe të kryetarit të Kuvendit, i cili ka gjetur mënyrën më të mirë që të vazhdojmë punën. Me këtë, Kuvendi ka treguar se mund të funksionojë dhe se askush s’mund ta ndalë punën e tij, se koalicioni është krejtësisht i qëndrueshëm dhe i përgjegjshëm. Ne si qeveri e përkrahim punën e Kuvendit. I bëjmë thirrje opozitës që t’i kthehet punës normale, të zbatojë ligjin dhe rregulloren e punës së Kuvendit”, tha Mustafa.
Kritik ndaj opozitës ka qenë edhe zv.kryeministri Hashim Thaçi, i cili tha se koalicioni qeverisës gëzon legjitimitet të plotë me shumicën në Kuvend.
“Mbështes fuqishëm qëndrimin që kemi mbajtur. Është e rëndësishme që partnerët e koalicionit janë të vendosur për të vazhduar punën, me legjitimitetin qytetar, me 3/4 në parlament. 3/4 nuk janë vetëm numra, por edhe legjitimitet i plotë. Nga ana tjetër, askush nuk do të mundë të sfidojë Republikën e Kosovës. Ky është viti europian i Kosovës dhe skenat që vijnë nga opozita nuk përkojnë me traditën tonë”, tha Thaçi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Skendër Hyseni duke raportuar për situatën dhe rolin e policisë në seancën e së premtes, tha se policia ka qenë e sfiduar, pasi sipas tij rrallë ndonjë polici është e përgatitur që të përballet me mbrojtjen e tempullit të demokracisë.
“Unë konsideroj që është arritje demokracisë mbajtja dhe përfundimi i seancës së parashikuar sipas rendit të ditës nga Kryesia e Kuvendit. Policia dhe institucionet e tjera do të kryejnë punën e vet në pajtim me ligjin dhe janë të përkushtuara që të mbrojnë institucionet rendit, qetësinë publike dhe dhuna e përdorur, e treguar në disa nga protestat e kohëve të fundit është e papranueshme për qytetarët e Kosovës. I përgëzoj qytetarët që të mos bëhen pjesë e dhunës që dëshmohet kundër institucioneve të Kosovës”, tha Hyseni.
Është bërë e ditur se gjatë ndërhyrjes për të shpërndarë protestuesit janë arrestuar dhjetë protestues. Sipas policisë si pasojë e dhunës është lënduar një zyrtar policor, i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore.