Qeveria e Kosovës ka miratuar tri marrëveshje të mobilitetit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në lidhje me këtë, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se pas përfundimit të procedurave të brendshme në institucione, të tri marrëveshjet shpejt do të dërgohen për ratifikim edhe në Kuvendin e Kosovës.
“Marrëveshjet për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale, mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve janë të bazuara në rregullat e BE-së”.
“Ratifikimi i shpejt i tyre është tregues i përkushtimit tonë për bashkëpunim rajonal, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe avancim drejt integrimit në BE”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.
Në lidhje me këto tri marrëveshje, ka folur edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila tha se dy nga tri marrëveshjet janë nga fusha e arsimit, teksa shtoi se me anë të ratifikimit të projektligjeve do të mundësohet që marrëveshja e arritur në Procesin e Berlinit të jetësohet në tregun e përbashkët rajonal.
“Njëra nga marrëveshjet ka të bëjë me njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe tjetra për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve”.
“Me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë, diplomat e institucioneve publike të arsimit të lartë të gjashtë shteteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të njihen me procedura të thjeshtuara dhe falas, duke hequr kështu një pengesë kyçe për mobilitetin e studentëve, akademikëve dhe fuqisë punëtore brenda rajonit e duke adresuar një kërkesë të kamotshme të profesionistëve qoftë nga Kosova por edhe vendet e tjera”, është shprehur Nagavci.
Tutje, ajo tha se me marrëveshjen për njohjen e kualifikimeve profesionale bëhet e mundur që profesionet e mjekëve, dentistëve e arkitektëve të ushtrohen lirshëm në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.