Të enjten, më dy shtator, kryeministri Edi Rama do të shpallë ministrat me të cilët do të drejtojë vendin në mandatin e tretë. Anëtarët e Asamblesë së Partisë Socialiste janë lajmëruar për mbledhjen të enjten në orën 10.00, mbledhje në të cilën kreu i PS-së, Rama do të bëjë publikë emrat e ministrave të rinj.
Deri më tani nuk ka dalë asnjë detaj as për ristrukturimin e ministrive e as për socialistin që do të marrë drejtimin e Parlamentit pas largimit të Gramoz Ruçit. Të vetmit që lideri i mazhorancës ka konfirmuar publikisht janë Taulant Balla në postin e kryetarit të grupit parlamentar dhe Elisa Spiropali si ministre për Marrëdhëniet me Kuvendin.
Në kampin tjetër, Lulzim Basha do të mbledhë pasditen e së hënës Këshillin Kombëtar për të zgjedhur ekipin me të cilin do të drejtojë Partinë Demokratike në mandatin e tretë në opozitë. Përveç Gazment Bardhit, i cili do të jetë sërish Sekretar i Përgjithshëm, të gjithë drejtuesit e tjerë do të ndryshojnë.
Edi Paloka e Edmond Spaho do të largohen pas tetë viteve si nënkryetarë të PD-së. Tashmë Basha ka vendosur që partia të ketë katër nënkryetarë e mësohet se dy prej tyre do të jenë gra. Më shumë se emrat që do të zgjedhë Basha për t’i pasur në krah në rrugëtimin politik të opozitës, çështja më e rëndësishme e mbledhjes së Këshillit është raporti që PD do të mbajë me liderin historik Sali Berisha.
Kanë mbetur vetëm pak ditë nga fillimi i Parlamentit e Lulzim Basha duhet të vendosë nëse do të respektojë kërkesën e amerikanëve e do të përjashtojë Berishën nga partia apo do të vazhdojë të mbajë Berishën e të nisë një epokë të re konflikti mes SHBA-së dhe Partisë Demokratike.
E ndërsa partitë politike bëhen gati për nisjen e Parlamentit të ri, këtë javë kryetari i shtetit Ilir Meta do të shpallë datën kur do të mblidhet Parlamenti i ri për t’i hapur rrugë kështu miratimit të qeverisë që do të drejtojë shqiptarët në katër vitet e ardhshme.