Midis nesh
Në metropolet tona mund të vëresh lloj-lloj qoshe, por jo edhe kulturore! Për shembull, mund të gjesh qoshe kafiterish ku konsumohet nargilja, llojet e ndryshme të narkotikëve, qoshe argëtimi, qoshe me tezga fruta-perime, tezga të rraqeve sekondare etj. Nuk ke vetëm qoshe kulturore.
Për shembull, metropolet shqiptare, komunat e mëdha shqiptare, nuk kanë ndonjë lagje, ndonjë qoshe, ndonjë rrugicë ku natë e ditë do të gëlonin aktivitete e ngjarje kulturore, ku do të zhvillohej jo vetëm jeta zbavitëse, por edhe ajo kulturore e natës. Metropolet tona nuk kanë (qoftë edhe në miniaturë) kënde kulturore urbane. Modelet i kanë, si për shembull Parisin me Monmartre dhe Boburg, Londrën me Soho dhe Vest Endin etj. Tirana e ka “bllokun”, Prishtina e ka “rrugicën e kafiterive të vogla”, dikur e kishte “Tre sheshirat”, Shkupi i ka çajtoret e intrigave, të spiunimit e të humbjes kot të kohës. Dikur e kishte Çarshinë e Vjetër ku, krahas argëtimit dhe jetës zbavitëse të natës, kishte edhe aktivitete kulturore, kënde të piktorëve që i ekspozonin krijimet e tyre, kishte orë letrare, zhvillohej teatri alternativ, organizoheshin koncerte serioze, popullore, manifestime të ndryshme, kishte dyqane-punëtori të veshjeve kombëtare, filigranizmi në “rrugën e argjendarëve” ishte një degë që në ditë tërhiqte mijëra turistë, verë e dimër!
Metropolet tona janë vendbanime të qindra aktorëve shqiptarë, të qindra shkrimtarëve shqiptarë, të piktorëve, skulptorëve, të muzicientëve të muzikës klasike, të valltarëve, të këngëtarëve! Janë aq të shumtë sa, pa kurrfarë problemi do të mund t’i mbulimin ditët e vikendeve me lloj-lloj aktivitetesh kulturore, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes, sidomos ditëve të ngrohta, për më tepër në periudhën kur në vendlindjet e tyre kthehen kurbetçarët tanë.
Mungon strategjia e qartë, mungojnë politikat kulturore, mungon programi kombëtar kulturor për zhvillimin e qosheve të tilla dedikuar jetës kulturore të natës. Pse mos të shoqërohet një bisedë mes miqsh me një muzikë të gjallë të lehtë, me një vallëzim të lehtë artistik; njeriu del për një kafe, pse mos të ndjekë dhe një monodramë, ndonjë pikë muzikore serioze, një ekspozitë, ndonjë komedi etj. Çdo vikend të ketë programin e veçantë kulturor!
Qoshet e tilla kulturore urbane janë tepër atraktive sidomos për turistët, madje të vizitueshme do të mund të ishin sidomos qoshqet ku ofrohen punime nga artizanati, punimet në dru, veglat muzikore, krijimet me motive kombëtare etj. Me një organizim të mirëfilltë, me koncepte të qarta kulturore, me vullnet e me qasje institucionale ndaj krijuesve e artistëve, do të ishte lehtësisht i mundshëm organizimi i jetës kulturo-zbavitëse të natës. Artistët dhe krijuesit që subvencionohen nga institucionet shtetërore do ta kishin obligim përfshirjen, të paktën një herë brenda viti, në një program të tillë vikendi. Qoshet e përshtatshme janë, hapësirat ekzistojnë, mjafton vetëm një marrëveshje e organeve të pushtetit lokal apo qendror me pronarët e lokaleve, të cilëve do t’u ofrohej marrëveshja “subvencionim për kulturë”! Brenda një kohe relativisht të shkurtër këto qoshe kulturore të metropoleve tona do të përfshiheshin në hartën botërore ku ka zhvillim të organizuar të jetë kulturo-zbavitëse të natës. Një përcaktim për qoshe të tilla urbane do të ishte i shëndetshëm edhe për identitetin kulturor kombëtar! /HEJZA/