Në pikë kalimin kufitar të Mutivodës që lidh Kosovën me Serbinë është krijuar një radhë e gjatë e automjeteve, të cilat nuk po lejohen të futen në Serbi me arsyetimin nga autoritetet serbe se ka pengesa në sistem.
Zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha tha për Top Channel se Policia e Kosovës në bazë të detyrave dhe autorizimeve që ka, po kryen me kompetencë të gjitha detyrat e saj, ndërsa sipas palës serbe, ata kanë pengesa të herë pas hershme në sistemin për regjistrimin e automjeteve dhe personave, ku edhe për shkak të tyre po krijohen vonesa dhe pakënaqësi për personat që lëvizin në atë pjesë.
Hoxha ka theksuar se përveç pritjeve nuk është raportuar për ndonjë incident.
Mësohet se në këto kolona ka shumë qytetarë me të drejtë vote në Medvegjë, ku edhe po zhvillohen zgjedhjet lokale, të cilët janë bllokuar që nga ora 7:00 e mëngjesit.