Rama: Ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin na u imponua
Sulmet kibernetike që prekën Shqipërinë kanë qenë tematika kryesore e emisionit “Presa diretta” në RAI 3. I intervistuar nga emisioni ivestigativ, John Hultquist, menaxheri i kompanisë amerikane Mandiant dha detaje se si e zbuluan që pas tyre fshihej Irani. Sipas tij, grupi hakerave i njohur si Homeland Justice, është fals, pasi sulmi u urdhërua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga zyrtarët e qeverisë iraniane.
“Më shumë besojmë se është punë e Ministrisë së Inteligjencës, një prej dy shërbimeve kryesore sekrete të Iranit. Sulmet mund të jenë urdhëruar drejtpërdrejt nga zyrtarët e qeverisë, por në fund të fundit duart mbi tastierë, puna efektive e hakerave është bërë nga kompani të vogla që punojnë për qeverinë dhe që prej tyre ka shumë. Homeland Justice është një grup fals, i krijuar qëllimisht për të fshehur përgjegjësin e vërtetë, pra shërbimet iraniane”, tha ai.
Sponsorizimi i sulmit kibernetik nga Irani, u bë shkak dhe i shkëputjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Republikës Islamike. Kryeministri, Edi Rama tregon se në atë situatë ky ishte një vendim i imponuar.
“Për fat të keq ishte një vendim i imponuar nga ai vend, sepse regjimi iranian sponsorizoi një sulm shumë të organizuar për të na privuar praktikisht nga gjithë infrastruktura digjitale që kemi ndërtuar në këto vite. Ishte përfundimi i një hetimi shumë, shumë të detajuar nga agjencitë më të mira të botës, që praktikisht na vunë përpara faktet dhe provat e këtij sulmi, të këtij agresioni”, u shpreh Rama.
Vendi ynë u sulmua dy herë nga hakerat iranianë, konkretisht më 15 Korrik ku target ishin sistemet e shërbimeve online, si dhe më 9 Shtator ku objektiv ishin sistemet e Policisë së Shtetit.