Rama akademikëve: Presim nga ju platformën e Rithemelimit të Akademisë, në fund vendosim bashkë

Nga takimi me akademikë të vendit për Reformimin e Akademisë Shkencave, Kryeministri Rama ka deklaruar se ajo që nevojitet sot është rithemelimi i këtij institucioni, që sipas tij nuk mund të realizohet vetëm nga qeveria, por në bashkëpunim me kapacitetet akademike.

“Do vendosim një afat dhe ky do të jetë afati i materializimit të këtyre çështjeve që do të diskutojmë. Duhet diçka që mban të motivuar ose i mban të rrjetëzuar njerëzit që duan ta ndryshojnë këtë situatë, por ama që ne të vazhdojmë dialogun me një institucion që i ka forumet një pikëpyetje më vete, nuk mund të vazhdojmë. Puna për rithemelimin do bëhet në bashkëpunim. Jo për t’ju lënë juve topin e përgjegjësisë, por ju e keni përgjegjësinë në raport me këtë. Pastaj është e hapur, në fund mund të konkludohet në një formë a tjetrën”-tha Rama.

 

Rama njoftoi se do të ketë shkurtim drastik fondesh të shërbimit social për njerëzit e shkencës, por do të ruhet pjesa e financimit që ka të bëjë me ata që sipas statusit, marrin një honorar.

Kjo sipas Ramës, me kushtin që të përkthehet brenda Marsit në një platformë rithemelimi të akademisë, që ju takon akademikëve ta bëjnë.

“Akademia si shërbim social do mbyllet. Kështu eshte katandisur, shërbim social i Republikës së Shqipërisë. Duhet bërë diçka dinjitoze, modeste, në përmasën e vendit dhe kombit që ne jemi. Nuk mund të bëjmë një akademi franceze apo sovjetike të rangut të lartë.Mund të bëjmë një kuvend të shkencës dhe të dijes që ti japë mundësi atyre që kanë pasion dhe ndiejnë detyrimin për të dhënë për shkencën që të ndihen të përfaqësuar. Jo një vend ku nuk meret vesh ku fillon profesori i nderuar dhe ku mbaron mashtruesi, një zullumqar që ka hyrë aty dhe bën çorapë gjithë sistemin. Ndaj them rithemelim, jo rregullim. Nuk ka çfarë rregullohet ketu, e vetmja gjë që ka bazë për rithemelin është kapaciteti njerëzor. Ata që mund të zgjidhin realisht problemin, nuk e zgjidh thjesht qeveria me një ligj. “- tha kreu i qeverisë.

Kryeministri shtoi se pjesa e fondeve e cila shkon dëm për shërbimin social të Akademisë, do spostohet për të krijuar bibliotekën shkencore të universiteteve. (l.g)/Lexo.al

Leave a Reply