Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Muhammed El Alabbar, drejtuesin e kompanisë EMAAR Group nga Emiratet e Bashkuara Arabe panë zonën nga ku do të ngrihet lagja e re e Spitallës në Durrës, pranë së cilës po ndërtohet edhe EkoParku i këtij qyteti.
“Është një kombinim pasi ne këtu kemi në kombinim të zonës së re kaq të bukur me parqe e shërbime për fëmijët, të moshuarit dhe të rinjtë. Më tutje po ndodh një transformim i të gjithë asaj gjëje të tmerrshme malesh me plehra që ishin aty prej dekadash që digjeshin e ndotnin ajrin. Tashmë siç e shikoni ajo kodër është pjesë e projektit të një parku ekologjik. Sikurse në këtë zonë më tutje është edhe parku industrial që lidhet me portin e ri”, tha Rama.
Kompleksi i ndërtimit të 2000 apartamenteve në Spitallë financohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa infrastruktura e brendshme nga buxheti i shtetit. Muhammed El Alabbar tha se ne duam që njerëzit të jenë të qeshur e optimistë dhe të bëhen bashkë e të ndërtojnë më mirë.