Takim me Lajçak për bisedimet mes Kosovës e Serbisë
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku sot do të adresojë një fjalë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, kreu i qeverisë shqiptare ka zhvilluar një takim me të dërguarin e Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.
Rama shkroi në rrjetet sociale se në fokus ishte ecuria e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ndërsa Lajçak u shpreh se pati një takim shumë të dobishëm me Ramën në prag të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Ne diskutuam situatën në Ballkanin Perëndimor. Mirënjohës për njohuritë dhe mbështetjen e tij për dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, shkroi Lajçak pas takimit me Ramën.
Një ditë më parë në Nju Jork u zhvillua takimi i liderëve të Ballkanit perëndimor nën drejtimin e kreut të diplomacisë europiane Jozef Borell.